Muhamed Useini “ndez” para kohe derbin e Anamoravës

Skuadra e Gjilanit, pjesë e së cilës është edhe mesfushori tetovar, Muhamed Useini, nuk po kalon aspak momente të mira në elitën e futbollit kosovar. Kjo skuadër aktualisht ndodhet në pozitën e katërt, mirëpo shumë larg me pikë ndaj skuadrave që pretendojnë Europën.

Vetëm 33 pikë në 23 javë kampionat, janë pak për një skuadër që para fillimit të sezonit shihej edhe si favoritja kryesore për titull.

Megjithatë te skuadra gjilanase kërkojnë këndelljen pikërisht në xhiron e 24-të, ndaj rivalit të përbetuar, Dritës, skuadër kjo që aktualisht zë vendin e parë dhe ka plotë 17 pikë më shumë se rivali i qytetit.

Megjithatë kur janë në pyetje derbi të këtilla, atëherë gjithçka është e mundur, thotë mesfushori tetovar i Gjilanit, Muhamed Useini, i cili kërkon kthesën e rezultateve të ekipit të tij.

“Nëse do kishim zgjedhur ndeshje, besoj se nuk ka ndeshje më të mirë se derbi për t’u rikthyer te rezultatet pozitive”, – thotë Useini.

“Normale se nuk është atmosfera e mirë pasi që po i përjetojmë rezultatet e dobëta dhe tentojmë sa më shpejt të dalim nga kjo periudhë e errët”, ka thënë Useini, i cili

është i vetëdijshëm se skuadra e tij do ta ketë mjaft të vështirë në këtë përballje.

“Do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, si gjithmonë. Besoj se një moment mund ta zgjidh ndeshjen dhe shpresoj të jetë kjo ndeshje një kthesë për Gjilanin”, – ka përfunduar intervistën e tij për ‘Demokracia.com’, Muhamed Useini.

Ndeshja derbi e javës së 24-të midis Dritës dhe Gjilanit do të zhvillohet të enjten (11 mars) me fillim në ora 13:00.

Leave a Reply