Observatori i futbollit, “CIES” ka publikuar ditën e mërkurë një raport javor me listën e futbollistëve të rinj më premtues, të cilët janë pjesë e kampionateve të ndryshme në botë dhe që janë të lindur në vitin 2000.
Kjo listë është bazuar në minutat e luajtura që futbollistët kanë luajtur në kampionat me klubet e tyre dhe në nivelin e ekipeve ku janë regjistruar lojtarët, që prej datës 1 janar 2020.
Në këtë listë renditet edhe mbrojtësi i talentuar i Kombëtares shqiptare të futbollit, Marash Kumbulla. Talenti kuqezi i cili u transferua tek ekipi i Romës në shtator ka bërë mjaft mirë me ekipin e njohur italian, duke marrë edhe këtë vlerësim nga Observatori i Futbollit.
Në këtë listë, Marash Kumbulla renditet përkrah emrave të tillë si Sanço e Haaland, futbollistë të Dortmund, Vinicius Junior i Real Madrid, Tonali i Milan etj, të cilët po bëjnë shumë mirë me ekipet e tyre.
Vlerësimi që i bëhet lojtarit kuqezi është një lajm i mirë jo vetëm për vetë futbollistin, por edhe për Kombëtaren shqiptare.
Observatori i futbollit “CIES” është një grup kërkimor brenda Qendrës Ndërkombëtare për Studime Sportive, një qendër studimi e pavarur, me seli në Zvicër, i specializuar në analizën statistikore të futbollit dhe është krijuar në 2005 nga Dr. Raffaele Poli dhe Dr. Loïc Ravenel.