Shkëndija dhe Renova janë ndarë me barazim 0:0 në duelin e vlefshëm për xhiron e 22-të në elitën e futbollit vendor. Edhe përkundër këtij barazimi “kuqezinjtë” shtojnë diferencën ndaj FC Shkupit, duke mbyllur kështu fazën e dytë të garave me 7-të pikë përparësi, duke hyrë në pol-position për titullin kampion në fazën e tretë dhe të fundit të garave në LPFMV, transmeton “infOSport.mk”.
Trajneri Gjoka ndeshjen ndaj Renovës e nisi me dy ndryshimë në formacion, kur Florent Ramadani dhe Valmir Nafiu morën përparësi në formacion, duke ulur në pankinë deri tani lojtarët standard Arbin Zejnullai dhe Dashmir Elezi.
Shkëndija u kanos e para me Alimin në minutën e 9-të kur e majta e tij shkoi skaj shtyllës dhe paralajmëroi se ndeshja do të jetë e hapur, pa lënë të krijohet imazhi se sfida deri në fund nuk do të sillte asnjë gol të vetëm.
Në minutën e 18-të pas aksionit të Muratit, Nafiu godet fortë por jashta kuadratit. Tre minuta më vonë Zahov nuk shqetësohet nga e majta e shkupjanit, Suhel Muaharemi, ndërsa pak më vonë Selmani e Shefiti zhvillojnë aksion të bukur me këtë të fundit që gjuan mbi traverzë.
Zahov do të vihej në sprovë edhe në minutën e 24-të, kur kontrollon të djathtën e Selmanit, ndërsa në minutën e 27-të Shkëndija humbi një super mundësi për të avansuar kur zihet i papërgatitur Doriev dhe nuk shfrytëzon hedhjen e gjatë të topit me duar nga Murati. Kansoja e fundit në pjesën e parë ishte për kuqezinjtë kur e majta e fortë e Bejtullait nuk gjeti portën e Renovës.
Në fillimin e pjesës së dytë, Kamer Qaka zuri vendin e Ramadanit dhe pikërisht mesfushori do të sillte kërcënimin e parë kur një e djathtë e tij e fortë megjithatë kontrollohet nga portieri i Renovës, Hadis Velii.
Në anën tjetër Gavazaj nuk gjen portën e Zahovit, ndërsa 10-të minuta pasi kishte nisur pjesa e dytë Selmani nuk gjen portën nga një gjuajtje e lirë në pozitë ideale. Armend Alimi në minutën e 70-të testoi Velii-n që kontrolloi goditjen e kumanovarit, ndërsa deri në fund të ndeshjes përkundër faktit se Shkëndija kishte dominim, rrjetat mbetën të paprekura dhe dy skuadrat dolën me nga një pikë nga ky duel.