Rabotniçki ka shokuar ekipin ambicoz të FC Shkupit, duke i shkaktuar disfatën e dytë në shtëpi dhe duke i pamundësuar që ti afrohet edhe më shumë Shkëndijës në garën për titullin e kampionit, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra “romantike” shënoi fitore 2:0, falë startit perfekt, kur në 10 minuta lojë arritën që në dy raste të tundin rrjetën e Naumovskit.
Pikërisht një reagim i dobët i këtij të fundit, i mundësoi Kristijan Stojkoskit që të shënojë golin e parë për Rabotniçkin që në minutën e parë, ndërkohë Nikolla Prelçec në minutën e 9-të, me kokë shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e Kristijan Naumovskit.
Pas këtij goli FC Shkupi u kanos me anë të mbrojtësit Neto, mirëpo në vendin e duhur ishte portieri mysafir Jankov.
Rabotniçki përmes Todorovskit kishte edhe një mundësi tjetër ideale për të shënuar edhe golin e tretë, mirëpo këtë herë Naumovski me një intervenim bravuroz nuk lejoi që rrjeta e tij të tundet sërish.
Rabotniçki u kanos i pari edhe në pjesën e dytë, mirëpo goditja e kapitenit Siljanovski nga distanca përfundoi vetëm skaj shtyllës pingule të portierit Naumovski.
Deri në fund të takimit, vendasit tentuan në dy raste për të shënuar përmes sulmuesit Rexhinaldo, mirëpo i njëjti do të duhet të pres për golin e tij të parë në elitën e futbollit vendor.
Edhe pas kësaj disfate, FC Shkupi, mbetet në pozitën e dytë me 40 pikë, mirëpo tashmë me 7 pikë më pak se Shkëndija e vendit të parë, që barazoi pa gola ndaj Renovës, ndërkohë Rabotniçki me 32 pikë renditet në pozitën e 5-të. (infOSport.mk)