“Albion”, klubi i vogël që synon të rrisë futbollistë të mëdhenj (VIDEO)

Nëse themi se futbolli është sporti numër 1 në botë vetëm se do të përsëritemi me këtë frazë të zakonshme që megjithatë perket me një realitet të madh që po jetojmë. Gjithçka rrotullohet rreth këtij sporti, qoftë edhe në periudha të këtilla kur kampionatet janë në pushim, por vëmendja shkon te transferimet e lojtarëve. Cilësinë e duan të gjithë dhe secili klub përpos prodhimit të lojtarëve nga akademitë përkatëse vrapon të angazhojë talentë cilësorë të identifikuar përmes skautëve dhe agjentëve të futbollit. Në vendin tonë realisht klubet çalojnë në punën me gjeneratat e reja, mirëpo ka edhe përjashtime me njerëz që dijnë çka duan dhe cilën rrugë duhet të ndjekin.

Futboll Klub Albion nga Shkupi i formuar 7-të vite më parë pikërisht me ide të qartë për tu bërë një çerdhe e talentëve të rinjë, me përkushtim dhe planprogram serioz zhvillon lojtarë prej moshave më të reja që pritet të ndërtohen në futbollistë cilësorë. Nëse ideja vjen nga një punëtor cilësor i futbollit si menaxheri Besim Reçi dhe me një punë të përkushtuar nga trajneri Isamedin Baliç, është shumë normale të fillojnë të duken rezultatet e punës së bërë me plasimin e shumë të rinjëve në klube elitare në Maqedoni.

“Ideja ishte e Besim Reçit që të hapim klubin FC Albion, i cili ekziston tashmë 7 vite. Gjatë këtyre viteve ne arritëm të bëjmë rezultate të mira dhe çdo vit marrim pjesë në turne të Ohrit dhe Strugës. Këtë sezon jemi paraqitur me katër ekipe, ku gjenerata 2007 arritën të fitojnë vendin e parë, ndërsa vitin e kaluar gjenerata e 2004 e fitoi vendin e parë. Për çdo vit kemi skuadra që arrijnë rezultate të larta.  Nga ata fëmijë, vitin e kaluar i kemi dhënë 18 lojtar FK Vardarit, FK dhe Rabotniçkit, ndërsa 4 lojtar i kemi dhënë akademisë së Federatës së futbollit të Maqedonisë”, tha Isamedin Baliç, trajner i FC Albion.

Për një vend si Maqedonia ku vështirë dhe rrallë dalin lojtar me predispozita për arritje më të mëdha, ndoshta ështe shumë normale të shikohet me skepticizëm FC Albion, mirëpo drejtuesit e klubit mendojnë vetëm për punën e tyre duke besuar në atë çka bëjnë. Shembull se edhe nga klube kushtimisht thënë të vegjël mund të dalin lojtarë të mëdhenj, është Enis Bardhi që është pranë transferimit na Primera Divisioni  spanjol, ndërsa kurrë nuk ka luajtur në Ligën e Parë të Maqedonisë pasi te Ujpeshti i Hungarisë shkoi pasi u rrit te Skupi dhe Albarsa.

“Objektivi është që nga fëmijët të bëjmë lojtar të mëdhenj. Punojmë rregullisht, punojmë çdo ditë, për atë se mendojmë se sporti është puna e parë në jetë, pasi zhvillon trupin dhe bënë socializimin e fëmijëve, në të cilën punojmë çdo ditë. Mendojë se nga këta fëmijë, do të dalin futbollist të mëdhenj”, thotë Baliç.

Te fëmijët e kësaj skuadre lehtë mund të shihet gëzimi dhe lumturia me punën që është duke u bërë, ndërsa si çdo i ri shumica ëndërojnë  një ditë të arrijnë të prekin gjera serioze.

Duke u gëzuar me trofetë e fituar në turne të ndryshme vendore për kategori të reja, sytë e tyre janë kah yjet më të mëdhenj të futbollit evropian dhe botëror.

Me ëndëra krejt legjitime për moshën që kanë, fëmijët e FC Albion duken në duar të sigurta në drejtim të vazhdimit të zhvilimit të tyre futbollistik. Turnetë në Maqedoni dhe jashta vendit vetëm se risin entuziazmin e tyre, ndërsa besohet puna e bërë të del në pah fillimisht në klubet elitare në Maqedoni, më pas nëse gjërat shkojnë si duhet, pse jo edhe në klube në Evropë.

(KRONIKË E HUAZUAR NGA TV SHENJA)

Leave a Reply