Ballkani fiton dhe merr kryesimin në Superligën e Kosovës

Ballkani ka shënuar fitore 2:1 në ndeshjen e javës së 23-të kundër Drenicës, duke u rikthyer në këtë mënyrë në krye të tabelës së klasifikimit në elitën e futbollit kosovar, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra e Blendi Shkëmbit ishte kundërshtarë më i mirë në ndeshjen që u zhvillua në Suharrekë, duke diktuar tempo në pjesën më të madhe të ndeshjes, derisa mysafirët nga Drenica tentuan të këndellën fare në fund, mirëpo pa sukses.

Arbër Hoxha 3 minuta para fundit të pjesës së parë shënoi një super gol nga distanca, ndërkohë vetëm pas 3 minutave lojë në pjesën e dytë, mbrojtësi Bajram Jashanica me kokë shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e mysafirëve.

Golin e vetëm skuadra drenicake e realizoi në minutën e 86-të me anë të Dardan Rogovës, që në fund vleu vetëm për statistikë.

Në ndeshjen tjetër të zhvilluar në terminin e njëjtë, Trepça ’89 e Sedat Berishës si mysafir me po të njëjtin rezultat, 2:1, mundi ekipin e Besës nga Peja.

Robert Rrahmani (24’) dhe Muharrem Jashari (63’) ishin autorë të golave për skuadrën nga Mitrovica, derisa golin e nderit për ekipin pejan, e realizoi Diar Halili (57’). Pas 23 ndeshjeve të zhvilluara, Ballkani renditet në pozitën e parë me 48 pikë, një më shumë se Drita e Ardian Nuhiut, që ka edhe një ndeshje më pak, atë kundër Feronikelit në Drencë, ndeshje kjo që në program është të dielën.

Ndërkohë një ditë më herët (e shtunë), Prishtina e Zekirja Ramadanit do të mirëpret Llapin, derisa Gjilani i Muhamed Useinit do të jetë nikoqir i Arbërisë. (infOSport.mk)

Leave a Reply