Shkëndija ka shënuar fitore 2:1 përballë Vardarit në ndeshjen e vlefshme të javës së 20-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, duke vazhduar në këtë mënyrë serinë e rezultateve pozitive ndaj rivalit të vjetër, njofton “infOSport.mk”.
Edhe pse Shkëndija dukshëm skuadër më e mirë, rezultati në fund nuk ishte ai që bindi dhe që kënaqi edhe vetë tifozët e Shkëndijë, megjithatë ajo që është më e rëndësishme për momentin, janë pikët e arkëtuara nga ekipi “kuqezi”.
Mevlan Murati pas një kombinimi të shkëlqyeshëm me Besart Ibraimin në minutën e 15-të kaloi në epërsi Shkëndijën, mirëpo nuk zgjati shumë dhe vetëm dy minuta më vonë në anën tjetër Vardari barazoi me anë të Martin Mirçevskit.
Me këto dy gola u mbyll pjesa e parë, ndërsa në pjesën e dytë patëm mundësinë të shohim vetëm një gol, edhe atë më të bukurin e ndeshjes, por edhe të javës, që mbante firmën e Armend Alimit.
Mesfushori kumanovar me plotë vetëbesim kërkoi për të ekzekutuar goditjen e dënimit në minutën e 62-të, të cilën e ekzekutoi në mënyrë perfekte, duke vendosur topin pas shpinës së Filip Iliq.
Ky gol i mjaftoi Shkëndijës për të marrë 3 pikët e plota dhe njëherit për të rritur epërsinë e pikëve ndaj konkurrentëve në luftën për titull.
Plotë 45 pikë numëron ekipi “kuqezi” nga Tetova pas 20 javëve kampionat, duke lënë pas vetes FC Shkupin, që ka 37 pikë. (infOSport.mk)