Derbi i madh i futsalit, FC Arben Bajrami – Ciko mbyllet me barazim

Java e 14-të në elitën e futsalit vendor u hap sonte me super derbin Futsal Club Arben Bajrami – KMF Proekt Ciko, njofton “infOSport.mk”. Doli të jetë kjo një ndeshje shumë e luftuar mes dy skuadrave, ndërsa më së miri për këtë flet edhe rezulati 0:0 i pjesës së parë.

Ndryshe takimi në fjalë u mbyll me barazimin 1:1, me mysafirët që avansuan të parët falë golit të reprezentuesit Darko Rangotov.

Pas këtij goli të shënuar në minutën e 23-të, pasoi një lojë shumë agresive dhe sulmuese nga ana e skuadrës vendase të Arben Bajramit, që edhe përkundër rasteve të shumta, në fund finalizoi vetëm një me anë të Berat Ramadanit.

Ky barazim tashmë rikthen fuqishëm në garën për titullin kampion edhe skuadrën e Futsal Shkupit, që këtë fundjavë do të ketë një detyrë të lehtë përballë Kratovës.

Pas 14 xhirove, KMF Proekt Ciko numëron 38 pikë, një më shumë se Arben Bajrami, ndërkohë Futsal Shkupi me 32 pikë renditet në pozitën e tretë, mirëpo edhe me një ndeshje më pak.

Leave a Reply