Doriev: E rëndësishme që e nisëm me fitore

Shkëndija e nisi me këmbë të mbarë stinorin pranveror në elitën e futbollit vendor, teksa nga transferta në Kratovë kundër Sileksit u rikthye me 3 pikë të plota, njofton “infOSport.mk”.

Edhe përkundër disavantazhit që kishin, “kuqezinjtë” nga Tetova falë golit të shënuar nga Lupçe Doriev në minutën e 57-të siguruan fitoren.

“Jam shumë i lumtur që goli im ndihmoi ekipin të arrinte fitoren. Ishte shumë me rëndësi të nisnim gjysmësezonin pranveror me tre pikë dhe ne kaluam me sukses këtë pengesë të parë që do të na ndihmojë shumë për vazhdimësi”, – u shpreh autori i golit të fitores për Shkëndijën në duelin me Sileksin, Ljupço Doriev.

Kuqezinjtë tani shkojnë në kuotën e 42 pikëve dhe si lider ruajnë distancën prej 6-të pikëve me ekipin e vendit të dytë, FC Shkupin.

“Shkëndija synon titullin e kampionit dhe për të arritur këtë çdo duel ka vlerë maksimale. Sileksi është ekip problematik në terren vendas dhe ne e dinim se nuk do të ishte aspak e lehtë të fitojmë. Përkundër negativës, në asnjë moment nuk kemi menduar për dështim. E dinim se kemi potencialin për të dalë me tre pikë dhe duke dhënë mëksimumin e duke shtypur kundërshtarin, golat gjithsesi se do të vinin. Më vjen mirë që realizimi im ishte vendimtarë dhe kjo do më ndihmojë për të qenë edhe më i mirë në vazhdim. Fitorja me Sileksin arkivohet, vëmendja kthehet ka sfida e rradhës dhe ne përgatitemi për fitore të re në fundjavë”, – përfundoi Doriev, që të dielën gjeti golin e 6-të sezonal, ndërsa është edhe asistenti më i mirë i ligës për momentin me 8-të asiste.

Shkëndijën javën që vjen e pret dueli ndaj rivalëve të mëdhenj të Vardarit. Kjo ndeshje në program është të dielën dhe e njëjta do të zhvillohet në Tetovë.

Leave a Reply