Shkëndija e Tetovës sot ka dalur me një komunikatë zyrtare, duke kërkuar shtyerjen e Kuvendit Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut që është përcaktuar të mbahet me 14 mars. Sipas klubit tetovar, diskriminuese është ndarja e delegatëve në Lidhjen Komunale të Futbollit të Tetovës, që Shkëndijës i takojnë tre delegatë, njejtë si disa klubeve tjera në nivel më të ulët. Kështu që skuadra tetovare do të bojkotojë zgjedhjet në LFK Tetovë dhe gjithashtu nuk do të dërgojë delegatët e saj në Kuvendin Zgjedhor të FFM-së. Kuqezinjtë kërkojnë që përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut të luaj në Kampionatin Europian në qershor të këtij viti dhe pas këtij eventi, të ketë zgjedhja të reja në LFK Tetovë dhe FFM pasi që të përshtatet Statuti që do të përcaktonte përfaqësimin adekuat. Shkëndija parasheh që zgjedhjet në FFM të shtyhen për vitin 2022 dhe bën thirje që FFM dhe Agjencia e Rinisë dhe Sportit të gjejnë kompromis për papajtueshmëritë që kanë ndërmjet tyre.