Besir Demiri i thotë lamtumirë Kukësit, transferohet te një klub i njohur europian!

Besir Demiri me shumë gjasa në verë do të largohet nga Kukësi. Shkupjani është ndër të paktët futbollistë që ka bindur me paraqitjet e tij në këtë sezon, ndërsa i njëjti ka përfunduar në orbitën e klubit të njohur azer, Karabakut, aty ku vite më parë me shumë sukses në krahun e majtë të mbrojtjes, njëjtë sikurse Demiri, luante ish reprezentuesi i Kombëtares shqiptare, Ansi Agollu.

Demiri firmosi në shtator një kontratë dyvjeçare me Kukësin, duke regjistruar eksperiencën e parë në kampionatin tonë pasi kishte qenë më parë pjesë e FC Shkupit, Shkëndijës, Vardarit, Mariupolit dhe Zhilinës.

Lojtari i cili luan kryesisht në të majtën e prapavijës, është adaptuar nga verilindorët edhe në mesfushë dhe deri tani ka dhënë paraqitje mëse bindëse.

Duket se këto paraqitje kanë tërhequr vëmendjen e Karabak pasi VIP Sport mëson se klubi azer ka nisur kontaktet me me lojtarin për të mundësuar transferimin e tij.

Kuptohet që bëhet fjalë për verën e vitit 2021, pasi merkato është e mbyllur për momentin në Azerbajxhan. Një opsion që sigurisht do të kënaqte lojtarin, pasi bëhet fjalë për një skuadër që tashmë po luan në nivelet më të larta në Europë dhe po paraqitet në fazën në grupe të turneve ndërkombëtarë.

Njëkohësisht, një lëvizje e tillë mund të sjellë edhe të ardhura të rëndësishme në klubin e Kukësit, i cili ka një marrëveshje me futbollistin e cila zgjat deri në verën e vitit 2022.

Leave a Reply