Pas një jave, supersfida Barcelona-Paris Sen Zhermen do të ndezë Ligën e Kampionëve, kur në program do të jenë ndeshjet e para të 1/8 së finales.
Kjo ndeshje pritet me pa durim nga të dyja taboret, mirëpo që tani Mauricio Poçetino po has në një problem të madh, kjo pasi për ndeshjen kundër Barcelonës, nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Anhel Di Marias.
Argjentinasi, një nga më të mirët e këtij sezoni te parisienët, nuk do të jetë i gatshëm për sfidën e parë ndaj katalunasve në “Kamp Nou”, stadium ku herën e fundit PSZH, kishte pësuar një nga disfatat më të rënda në Ligën e Kampionëve, 6:1.
Di Maria pësoi një dëmtim muskulor në ndeshjen e fundit kundër Marsejës në fundjavë, ashtu që do të duhet të qëndrojë rreth një muaj jashtë fushave të futbollit.
Mungesën e tij ndaj Barcelonës e konfirmoi edhe vetë trajneri i parizienëve, Maurcio Poçetino.
“Di Maria nuk do të jetë për ndeshjen me Barcelonën. Ka një dëmtim dhe nuk mund ta rrezikojmë”, – është shprehur strategu argjentinas.