Barcelona ka regjistruar një fitore të madhe 3:2 në transfertën ndaj Betisit në kuadër të javës së 22-të në La Liga, njofton “infOSport.mk”.
Të dyja këto skuadra zhvilluan një ndeshje shumë të fuqishme në “Benito Vijamarin”, që në fund u mbyll me fitoren e mysafirëve. Ronald Kuman mund të jetë i kënaqur, pasi pikërisht rezervat që bëri ai zgjodhën çështjen e fituesit.
Betisi avansoi në minutën e 38-të falë golit të Borha Iglesias, mirëpo Lionel Messi, i cili këtë ndeshje e nisi nga bankina në minutën e 59-të arriti që të barazojë shifrat në 1:1.
Një autogol i Viktor Ruis në të 68-tën i dha avantazhin Barcelonës, ndërsa i njëjti futbollistë në minutën e 75-të shënoi edhe në rrjetën e Ter Shtegen, duke barazuar shifrat në 2:2.
Rezultatin final të këtij takimi, Betisi 2, Barcelona 3, e vendosi Trinkao, një tjetër rezervistë te Barcelona, i cili në minutën e 87-të shënoi një super gol me të majtën e tij, duke i siguruar skuadrës së tij fitoren e 13-të sezonale.
Barcelona me 43 pikë vazhdon të mbajë pozitën e dytë në renditje, me 7 pikë më pak se Atletiko Madridi i vendit të parë, skuadër kjo që ka edhe dy ndeshje më pak. (infOSport.mk)