Juventus Serava eliminoi Shkëndijën vetëm përmes penaltive

Juventus Serava ka siguruar një vend për në çerekfinale të Kupës së Maqedonisë në futsal, pasi sonte në palestrën “Enver Idrizi” eliminoi Shkëndijën, edhe atë vetëm pas ruletit të penaltive njofton “infOSport.mk”.

Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me shifrat 6:6, ndërkohë pas ekzekutimit të penaltive “bardhezinjtë” nga Serava ishin më të suksesshëm, duke e mbyllur me shifrat 2:0, ashtu që me rezultatin e përgjithshëm 8:6 me meritë u kualifikuan në mesin e 8 skuadrave më të mira në futsalin vendor.

Fillimi i ndeshjes i takoi skuadrës tetovare, që në një moment avansonte me rezultatin 3:1. Golin e vetëm në këto minuta të para për Juventus Seravën e realizoi Sali Saliu, i cili ishte figura kryesore te skuadra vendase, ndërsa në anën tjetër për “kuqezinjtë” nga Tetova të saktë ishin Agon Hashimi, Edis Murtezani dhe Meriton Alili.

I riu Omer Osmani ngushtoi epërsinë e Shkëndijës në 3:2, ndërkohë Sali Saliu realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për Juventus Seravën, duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me barazimin 3:3.

I njëjti rezultat u përsërit edhe në pjesën e dytë, mirëpo këtë herë të parët që avansuan ishin vendasit e Juventus Seravës, ndërsa në skenë doli sërish Sali Saliu, që shënoi golin e tretë personal, për epërsinë e parë të Juventus Seravës në këtë ndeshje me rezultatin 4:3.

Shkëndija u kundërpërgjigjë me anë të Agon Hashimit, duke barazuar shifrat në 4:4, ndërsa një autogol i mysafirëve bëri që Juventus Serava sërish të kaloj në epërsi, këtë herë me rezultatin 5:4.

Gani Ismaili në minutën e 27-të shënoi edhe golin e 6-të për Juventus Seravën, mirëpo kur u mendua se vendasit do të sigurojnë fitoren, ashtu nuk menduan mysafirët nga Tetova, të cilët u kundërpërgjigjën me dy gola të shpejtë me anë të Edis Murtezanit dhe Kushtrim Karimanit.

6:6 pas 29 minutave lojë, rezultat ky që doli të jetë edhe rezultati final i këtij takimi mjaft interesant, me ç’rast udhëtuesin për në çerekfinale e vendosën penaltitë.

Aty më të suksesshëm dolën “bardhezinjtë” nga Shkupi, pasi nga gjithsej 3 goditje, realizuan dy prej tyre, me anë të Sali Saliut dhe Besnik Latifit. I vetmi që nuk shënoi për “bardhezinjtë” nga Serava ishte Reshat Ali, ndërsa në anën tjetër nuk arritën të realizojnë Meriton Halili dhe Edis Murtezani.

Kujtojmë Shkëndija e Tetovës aktualisht garon në Ligën e Dytë, ku edhe kryeson renditjen, ashtu që shumë lehtë kjo skuadër edicionin tjetër mund të luaj në mesin e më të mirëve në futsalin vendor, duke shtuar numrin e skuadrave shqiptare. Aktualisht pjesë e Ligës së Parë, janë: Futsal Shkupi, Arben Bajrami, Juventus Serava dhe Futsal Karadaku.  (infOSport.mk)

Ruleti i penaltive

JUVENTUS SERAVA KFV SHKËNDIJA
2 0
Emri i lojtarit Gol – X Emri i lojtarit Gol – X
Sali SALIU GOL Meriton HALILI X
Reshat ALI X Edis MURTEZANI X
Besnik LATIFI GOL    

Leave a Reply