Ferhan Hasani shumë shpejt pritet të promovohet me fanellën e Partizanit, ndërsa këtë më së miri e dëshmojnë edhe fjalët e fundit të trajnerit Ilir Daja, i cili i pyetur nga gazetarët pas ndeshjes me Teutën rreth futbollistit tetovar, tha se i njëjti mund të konsiderohet si lojtar i “Demave të Kuq”, por se do i nevojitet kohë për tu përshtatur me ekipin.
Ndryshe Hasani sot ndoqi ndeshjen e Partizanit nga shkallët e stadiumit “Niko Dovana”.
“Dihen vlerat e tij, por do i duhet kohë për të rikuperuar formën dhe për t’u përshtatur me manovrën tonë. Shumë alternativa në sulm? Shpresoj që të tilla halle të kemi” – u shpreh Ilir Daja.
Partizani i tij barazoi 1:1 në transfertën në Durrës në ndeshjen e fundit të javës së 16-të, duke mos mundur ta ngushtojë diferencën në pikë ndaj Vllaznisë së vendit të parë që mbetet ende 9 pikë në favor të shkodranëve.