Mesut Ozil edhe zyrtarisht është një futbollistë i ri i Fenerbahçes, mirëpo edhe përkundër këtij fakti drejtuesit e skuadrës nga “Shukru Saraçogllu” nuk po gjejnë qetësinë e duhur. Shkak është bërë paga e lartë e Mesut Ozil. Ky i fundit te Arsenali përfitonte rreth 18 milionë sterlina, derisa te Fenerbahçe i njëti pranoi një ulje prej 5 milionë për t’iu bashkuar ekipit të zemrës.
Megjithatë, shifra mbetet sërish e lartë dhe një kohë pandemie është e vështirë për t’u përballuar për cilin do klub. Kështu, presidenti i Fenerbahçes, Ali Koç, ka kërkuar ndihmën e tifozëve për ta ndihmuar klubin e tyre financiarisht.
“Ne kemi një kërkesë për tifozët tanë. Ju lutem vazhdoni të na mbështesni, pasi kemi nevojë për mbështetjen tuaj financiare. Në ditën e nënshkrimit të Ozil, unë do t’iu kërkoj të thyejmë një rekord së bashku përmes një fushate SMS-së. 300.000, 500.000 apo dhe një milionë mesazhe me tekst priten të vijnë. Kjo mbështetje do të na bënte shumë mirë”, – ka thënë Ali Koç.
“Fushata” Mesutol do të startojë këto ditë dhe një mesazh do të kushtojë më pak se 2 paund. Të gjithë mesazhet do të dërgohen në numrin 1907, vitin e themelimit të klubit. Mbetet të shihet se si do të kundërpërgjigjen tifozët e Fenerbahçes, e që realisht janë në numër të madh në Turqi.