Tomas Strakosha dhe Vedat Muriqi pritet të jenë sot titullarë në sfidën e 1/8-ave të finales në kuadër të Kupës së Italisë, në të cilën Lacio e tyre do të përballet me Parmën.
Gardiani kuqezi rikthehet në fushë pas dy ndeshjesh mungesë dhe tashmë ka shansin e mirë të dëshmojë se pse e meriton të jetë zgjedhja e parë në portë e trajnerit Simone Inzaghi, që ndeshjeve të fundit ka preferuar spanjollin, Pepe Reina.
Rastin për të shënuar golin e parë me fanellën e Lacios do ta ketë edhe sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, që gjithashtu pritet të luaj titullarë kundër skuadrës nga “Enio Tardini”.
26-vjeçari ndodhet nën presion të vazhdueshëm nga mediat në Itali, pasi ende nuk ka gjetur golin e parë si bardhekaltër, edhe pse është aktivizuar në 13 ndeshje gjatë këtij sezoni, në shumicën prej tyre nga bankina.