Merkato e bllokuar në verë e Partizanit, pengoi rikthimin e Glendi Micit në kampionatin shqiptar. Mbrojtësi kishte një akord parimor me Partizanin, ku do të vihej përsëri nën urdhërat e trajnerit Ilir Daja, me të cilin kishte kaluar vitet më të rëndësishme të karrierës në radhët e Skënderbeut.
E gjithë kjo situatë bëri që Mici të zgjedh Prishtinën, pasi hoqi dorë nga qëndrimi i mëtejshëm te Shkëndija e Tetovës. Mirëpo edhe përkundër këtij fakti, kjo nuk do të thotë se rrugët e tij me Partizanin nuk do të takohen përsëri.
Bisedat mes palëve kanë vazhduar, ndërsa kohët e fundit është përfolur se ai do t’i jepte lamtumirën kryeqytetit të Kosovës për t’iu bashkuar “Demave të Kuq” nga Tirana.
Por një gjë e tillë me sa duket nuk do të bëhet realitet në merkaton e janarit. Sipas RTSH, drejtuesit e Partizanit nuk kanë ndërmend të shpenzojnë për të prishur marrëveshjen e futbollistit me Prishtinën, që skadon në fund të këtij edicioni.
Partizani dhe lojtari kanë lënë një takim për të diskutuar atëherë për të ardhmen dhe nëse gjejnë gjuhën e përbashkët, do të konkretizojnë një vit me vonesë një marrëveshje që nisi që verën e kaluar.