“Një luftëtar i ri”. Kështu e ka përshkruar Vilem II goditjen që ka bërë në merkato së fundmi, duke afruar fillimisht në formë huazimi mesfushorin e kombëtares shqiptare, Lindon Selahi nga ekipi i Tuentes, mirëpo që në fund të sezonit aktual, kur edhe i përfundon kontrata me skuadrën nga Enschede, i njëjti mund të bëhet edhe zyrtarisht pjesë e skuadrës së tij të re. Kështu kanë vendosur palët në kontratë, gjithnjë nëse Selahi bind drejtuesit e Vilem II.
Selahi nga një protagonist absolut te Tuente u kthye në lojtar stoli, pasi trajneri nuk e preferonte më. Pas shumë negociatash u vendos larigmi i tij dhe futbollisti është prezantuar sot në skuadrën tjetër holandeze të Vilem II.
Klubi bëri të ditur se kumanovari Selahi ka kaluar me sukses vizitat mjekësore dhe se do të jetë gati për të ndihmuar skuadrën që nesër në takimin e vlefshëm të javës së 17-të kundër Valvijk në transfertë.
Selahi ishte titullar në 23 ndeshje me Tuenten në sezonin e kaluar, duke u cilësuar si një nga zbulimet e edicionit në Holandë. Por pas problemeve fizike që pati në fillimin e këtij edicioni edhe për shkak të mungesës për disa javë pasi iu bashkua kombëtares duke u mbyllur në karantinë, ai përfundoi jashtë planeve të Tuentes.
Kjo e fundit vendosi vetëm këto ditë që ta linte të lirë të largohej drejt një klubi tjetër ku të mund të aktivizohet rregullisht.