Përveç me Hasan Ozer, i cili edhe zyrtarisht morri drejtimin e FC Shkupit, drejtuesit e skuadrës nga Çairi paralelisht ishin në bisedime e sipër me trajnerin boshnjak, Mladen Zhizhoviç, i cili ekskluzivisht për “infOSport.mk” konfirmoi se bisedimet janë ndërprerë pasi palët nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët.
“Nuk u morrëm vesh rreth kushteve. FC Shkupit i uroj shumë fat në vijim të kampionatit dhe të arrijnë objektivat e tyre. Përshëndetje për të gjithë në Maqedoni” – u shpreh enkas për “infOSport.mk” strategu boshnjak, i cili së fundmi drejtonte skuadrën e Zrinjski Mostar.
Ai skuadrën nga elita e futbollit boshnjak e kishte udhëhequr në 28 ndeshje, duke regjistruar 17 fitore, 5 barazime dhe 6 disfata. Nën drejtimin e tij, Zrinjski Mostar, luajti në ndeshjet e Liga Europa, duke arritur deri në fazën e tretë, kur u mundën nga APOEL Nikozia, edhe atë vetëm pas ruletit të penaltive, transmeton “infOSport.mk”.
Gjatë karrierës së tij si trajner, Zhizhoviç, kishte udhëhequr edhe ekipin e Radnik Bijeljina, ndërkohë si futbollistë, i njëjti përveç karrierës në vendlindje, për një vit të plotë kishte luajtur edhe në Shqipëri me ekipin e Tiranës.