Skuadra e Partizanit mund të kërkojë dëmshpërblim nga FIFA pasi u shpall fituese në gjyqin e KAS, duke iu zhbllokuar merkatoja.
“Demat e kuq”, të cilët kanë pajtuar një studio ligjore spanjolle për këtë çështje, duan të dëmshpërblehen për bllokimin e merkatos së verës dhe për dënimin e Erald Çinarit me katër muaj pezullim nga aktiviteti.
Drejtuesit e klubit janë besimplotë se janë të pafajshëm dhe janë gati të marrin të gjithë hapat e duhur në vërtetësinë e kësaj gjëje.
Partizani u dënua fillimisht me bllokim të tre sesioneve të merkatos, si dhe me 83 mijë euro gjobë, që do të paguhej së bashku me futbollistin Çinari, me një përqindje ndarje që do të arrihej me dakordësi nga dy palët. Por nëse Partizani apelon dhe del sërish fitues dhe dëmshpërblehet, do të kursente edhe këtë shumë, duke u forcuar jo pak financiarisht.
GJOBA – 83 mijë e 150 euro është gjoba që FIFA i ka vendosur Partizanit dhe futbollistit Erald Çinarit. Kjo shumë do të paguhej edhe nga klubi, edhe nga Çinari, në një ndarje të totalit me dakordësi mes klubit dhe futbollistit. Me Partizanin që e fitoi çështjen në gjyqin e KAS, e “kursyen” këtë shumë të konsiderueshme.
PËRFITIMI – Partizani do të kërkojë dëmshpërblim ndaj FIFA-s ose Istras e Alaves, kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim. Në të dyja rastet, nëse Partizani del fitues dhe vërteton pafajësinë e plotë, do të përfitonte një shumë tepër të majme për dëmin që iu është bërë, duke iu bllokuar merkaton e verës. Duket se tashmë është klubi i Partizanit që do të dalë më i fituari nga ky gjyq i KAS.
APELIMI – Apelimi i Partizanit nuk pritet të vonojë. “Demat” besojnë në pafajësinë e plotë të klubit dhe janë gati t’i shkojnë deri në fund kësaj çështje në KAS. Mbetet për t’u parë nëse Partizani do të kërkojë dëmshpërblim nga FIFA, apo nga Alaves dhe Istra, për situatën që u krijua verën e shkuar.