Sirena turke për mesfushorin e Struga Trim Lum, Bunjamin Shabani. Një gjë të tillë pohon “GazetaBlic”, sipas të cilëve me ndërmjetësim të një agjenti, për shërbimet e kumanovarit 29-të vjeçar, interesim ka shfaqur një skuadër nga kategoria e dytë e futbollit në Turqi.
Shabani ka lënë pas një gjysmësezon shumë pozitiv me Struga Trim&Lum, duke u shndëruar në një prej futbollistëve bartës së lojës në formacionin e trajnerit Zaharievski dhe interesimi për të nuk paraqet ndonjë befasi.
Duke qenë ndër futbollistët më në formë në kampionatin tonë vendor, Shabani bind për të bërë hapin e rradhës në një kampionat më të avansuar dhe oferta në adresë të tij duket joshëse.
Sipas burimeve pranë agjensionit që ndërmjetëson bisedimet, kumanovari pëlqen idenë për të kaluar në futbollin turk, por njëkohësisht tregon konsideratë për skuadrën e tij aktuale Struga Trim&Lum ku ndjehet shumë i vlerësuar.
Kontrata e tij skadon në verën e këtij viti dhe si qëndrojnë punët nëse transferimi nuk ndodh tani, me gjasë pritet të realizohet në verë.
Ndërkohë edhe një skuadër nga elita e Kosovës “troket” në derën e Bunjamin Shabanit, por realisht opsioni “Turqi” duket mjaft joshës.
Kujtojmë se Shabani te Struga Trim&Lum kaloi nga Drita e Gjilanit, ndërsa është paraqitur edhe me Shirak FC në Armeni, FC Shkupin, Renovën, Shkëndijën, Bashkimin dhe Milanon në Maqedoni, si dhe Partizanin e Tiranës në Shqipëri.