“Unë dua të rishihemi përsëri”, ky është posteri që ka vendosur në mes të Madridit kandidati për president të Barcelonës, Joan Laporta.
Gjatë një intervistë për kanalin e “Youtube” të Dani Senabres, ai e pranon se ndihet shumë krenar për veprimin e tij dhe fushatën për president.
“Ky poster do të thotë guxim, përgatitje dhe përvojë. Unë dua ta rijetoj atë rivalitet, tipik mes dy ekipeve rivale. Dua sërish të shënojmë gjashtë gola ndaj tyre. Por, që të kthehemi aty duhet të rindërtojmë ekonominë e klubit tonë”, – deklaron spanjolli pas atij posteri të vendosur shumë pranë stadiumit “Santiago Bernabeu”.
“Messi është një mënyrë për të gjeneruar të ardhurat. E theksoj dhe një herë se motivimi im është tek fitorja dhe të rikthej buzëqeshjen tek tifozët tanë. Unë jam i gatshëm të përballem me situatat e komplikuara ekonomike që po kalon klubi në këto momente”.
“Unë nuk dua që Barça të bëhet një kompani e kufizuar publike, por dua që ajo të mbetet pronë e partnerëve tanë. Futbolli është sport dhe sporti gjithashtu është politikë. Klubi duhet të ketë një pozicion ku duhet t’i japë përparësi interesave të saj. Presidenti më i mirë në histori? Vë bast se është Joan Gamper”, – përfundon Laporta.