Vedat Muriqi nuk do të largohet nga Lacio në janar, ka konfirmuar për Gazetën Express, Igli Tare, drejtori sportiv i klubit italian, duke i hedhur poshtë thashethemet për kthimin e kosovarit mbrapsht në Fenerbahçe.
Lacio i ka hedhur poshtë lajmet e mediave turke se do ta kthejë sulmuesin e vet kosovar, Vedat Muriqi, në Turqi në afatin kalimtar të dimrit.
Përfaqësuesi i Kombëtares së Kosovës, Muriqi iu bashkua Lacios në verën e kaluar nga Fenerbahçe për rreth 18 milionë euro, por ka hasur në vështirësi të përshtatet në skuadrën e Simone Inzaghit që prej atëherë dhe ende është në kërkim të golit të parë.
Kritikat e mediave italiane për formën e dobët të 26-vjeçarit dhe mungesa e golave nga ana e tij, kanë nxitur thashetheme të mëdha për të ardhmen e Muriqit, i cili i ka edhe katër vjet e gjysmë të mbetura në ujdinë me Lacion.
Si pasojë, Gazeta e përditshme turke “Hurriyet” raportoi ditë më parë se Lacio do ta kthente 26-vjeçarin te ish-klubi i vet në Superligën e Turqisë në huazim deri në përfundim të sezonit.
Por lajmi i të përditshmes turke është hedhur poshtë nga Tare, njeriu i cili punoi për ta sjellë prizrenasin në kryeqyteti italian.
I pyetur nga “Gazeta Express” nëse Muriqi do të huazohej te ish-klubi i vet, Tare ishte i shkurtër por i qartë në përgjigjen e tij: “Jo, nuk është e vërtetë”.
Muriqi ka qenë i pafat prej se mbërriti në Stadiumin Olimpik, sepse u detyrua të presë për të debutuar për Lacion, së pari sepse u prek nga pandemia e koronavirusit, e pastaj nga dy lëndime, si pasojë e të cilave ai e zhvilloi ndeshjen e parë vetëm në mes të tetorit.
Që prej atëherë, i ka bërë 10 paraqitje për Lacion, tri si titullar dhe shtatë si zëvendësues, në të gjitha garat dhe është ende në kërkim të golit të parë në fanellën e kaltër.
Në dy ndeshje me Kosovën gjatë kësaj kohe, megjithatë, Muriqi i shënoi dy gola, në humbjen kundër Sllovenisë 2:1 në Ligën e Kombeve dhe në disfatën kundër Shqipërisë 2:1 në një ndeshje miqësore.