Kur ka mbetur vetëm edhe një xhiro deri në mbyllje të stinorit vjeshtorë, drejtuesit e Futsal Shkupit që tani po mendojnë përforcimin e skuadrës për ndeshjet e Ligës së Kampionëve, por edhe për stinorin pranveror në elitën e futsalit vendor.
Kështu skuadra kampione e vendit në futsal gjatë ditëve në vijim pritet të prezantojë përforcimin e parë, e që vjen nga rajoni. Bëhet fjalë për një ndër lojtarët më të mirë të futsalit viteve të fundit në gjithë rajonin, ndërsa gjatë vitit 2017-të i njëjti ishte renditur i dyti në renditje menjëherë pas Kristiano Ronaldos, sa u përket golave të shënuar brenda një edicioni në kupat europiane.
Mirëpo ky nuk do të jetë përforcimi i vetëm, pasi drejtuesit e klubit nga Çairi thuhet te jenë në bisedime e sipër edhe me dy brazilianë, të cilët do e ndihmojnë skuadrën edhe në ndeshjet kampionale të pjesës së dytë të sezonit 2020/2021, ku Futsal Shkupi sërish pretendon titullin e kampionit.
Sot kundër Crna Rekës në Kavadar me fillim në ora 16:30 skuadra e Futsal Shkupit do të zhvillojë ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtorë, për të vijuar më pas përgatitjet për ndeshjen e shumëpritur të “Main Round” në kuadër të Ligës së Kampionëve kundër MFC Kherson, ndeshje kjo që në program është me datë 16 janar të vitit 2021.
Ndeshja në fjalë do të zhvillohet në në Zaporozhje të Ukrainës, drejt cilit qytet ekspedita “bardhekaltër” do të niset me 12 janar.