Juventusi të martën në mbrëmje u mposht në shtëpi 3:0 nga Fiorentina, ndërsa kjo ka shtyrë drejtuesit e klubit torinez që menjëherë të vihen në lëvizje.
Skuadra ka dobësi të shumta dhe njëra nga ato është edhe porta. Vojçeh Shçezni si duket nuk është në formën e duhur, ashtu që drejtuesit “bardhezi” janë të gatshëm të transferojnë një portierë të ri në merkaton e janarit.
Portali spanjoll “Don Balon”, raporton se Biankonerët kanë piketuar portierin e Barcelonës, Neto, si njeriun ideal për portën. Neto ka qenë pjesë e Juventusit nga viti 2015 deri në vitin 2017, pa arritur të lërë gjurmë.
Braziliani më pas u transferua te Valencia ku shkëlqeu për dy sezone, ndërsa tani është i pakënaqur te Barcelona dhe dëshiron largimin nga Kamp Nou.
Neto bëri disa paraqitje të mira këtë sezon gjatë mungesës së Ter Shtegen dhe te Juventusi janë të bindur se braziliani është njeriu i duhur për t’ia besuar portën.
Juventus dhe Barcelona kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme dhe marrëveshja pritet të arrihet me lehtësi.