Shkëndija në xhiron e 18-të dhe të fundit për këtë gjysmësezon vjeshtor e mbylli me disfatë, duke u mundur nga Pelisteri në shtëpi me rezultatin minimal 1:0. Pikërisht ky gol erdhi nga penalltia, me arbitrin kryesor që akordoi 11-të metërsh me shumë dilema në minutat shtesë. Për të njejtën kanë reaguar nga tabori tetovar kundrejt arbitrit Meçkarovski.
Komunikata e plotë e Shkëndijës:
A thua edhe kjo mund të ndodhë!?
Është për të të ardhur keq se si shndërohet në turp dhe vjedhje klasike një ditë që duhej të ishte festë për përcjelljen në pension pas një karriere të suksesshme 25 vjeçare të arbitrit Dimitar Meçkarovski në skenën vendore dhe ndërkombëtare.
Pse duhej kështu ta mbyllë karrierën Meçkarovski? Çka ju desh që të njolloste veten në kushte kur ndeshja e fundit në karrierën e tij 25 vjeçare kishte hyrë në minutën e 90-të dhe kur të vetëdijshëm për rënien teatrale të futbollistit të tyre, penalti nuk kërkonin as futbollistët e Pelisterit?
A do të mjaftojë vetëm të turpërohet me ‘veprën’ e tij Meçkarovski kur materiali filmik vërteton lojën e qartë me dorë të lojtarit të Pelisterit ndaj të cilës reagojnë futbollistët tanë, ndërsa ata të Pelisterit të vetëdishëm me atë që ndodhi po tërhiqeshin nga zonë jonë? Edhe vetë Meçkarovski kishte dyshime dhe pas një hamendje dhe pasigurie mori vendim ‘kriminel’ duke treguar penalti inekzistente për Pelisterin.
Dhe në fakt jo vetëm penaltia, por gjatë gjithë lojës nuk u bë asgjë për të penguar zvarritjen e vazhdueshme të lojës, shtrirjes në terren pas çdo kontakti minimal e shumë pengesave që nuk u sanksionuan!
Nuk e kuptojmë a nuk shikohen ndeshjet në Europë dhe kampionate më të avansuara se si zgjidhen këto ‘anomali’ nga ana e arbitrave e që dëmtojnë futbollin në përgjithësi? Gjëra që fatkeqësisht në futbollin tonë i shofim gati se në çdo ndeshje.
Nëse futbollin e luajnë dy skuadra me qasje kompetitive, arbitrat kanë për detyrë ndarjen e drejtësisë dhe jo të bëhen aktorë kryesorë të epilogut të ndeshjes, me çka bie në ujë merita sportive dhe vlera e futbollit në përgjithësi.
Ne si klub këtë gjysmësezon e konsiderojmë të mbyllur pa humbje nga rivalët dhe disfatën e vetme na shkaktoi direkt arbitri Meçkarovski. Futbollisti jonë ndërkombëtarë Jan Krivak i përfshirë direkt në aksionin e penaltisë së padrejtë, derisa po e përcollëm për pushim në vendlindjen e tij Sllovaki, nuk dinim si t’i përgjigjemi komentit të tij ‘a ja vlen të luhet futboll në vendin tuaj’!?
Skuadrës së Pelisterit i urojmë tre pikët…
Ndërsa nga Meçkarovski të cilin e patëm në ndeshjen e sotme dhe e pritëm me mirënjohje e respekt, nuk dimë cka të kërkojmë pasi të rishohë turpin e tij. Minimumi që do të tregonte sjellje njerëzore do të ishte mbase që pasi të rishohë veprën e tij të dalë publikisht dhe të na kërkojë falje për dëmin dhe ‘vjedhjen’ që na shkaktoi. Shpresojmë që në veprimtarinë e tij të mëtejshme të dijë të çmojë vlerat e vërteta të sportit dhe drejtësisë.
Problemin kryesor nuk duam ta shprehim vetëm si afekt nga ndodhitë e ndeshjes së sotme, por shqetësimi jonë serioz që nëse Meçkarovski me gjithë përvojën dhe vlerësimet për karrierën e tij të suksesshme e mbylli në këtë mënyrë, atëherë çka mund të presim në të ardhmen në aspekt të organizimit dhe referimit të kompeticionit në vendin tonë?
A thua përgjegjësit në Federatë që me problemet aktuale dukshëm tregojnë paaftësi, ndërsa edhe pa plan e strategji të bërë publike për përmirësimin e kësaj situate në futbollit vendor, të përcaktuar në funksione në federatë përmes linjave të ndryshme jo kompetente, do të zgjidhin këtë situatë për të ndikuar në zhvillimin e futbollit konform standardeve dhe vlerave europiane, të cilat ne si klub gjithnjë i synojmë dhe promovojmë?
Nëse krahasohemi me ligat tjera në rajon, nuk shofim se Federata përkujdeset të ndryshojë këtë realitet dhe të ketë perspektivë futbolli në vend. Në aspekt të arbitrave kërkojmë që Federata të alokojë fondet përkatëse në mënyrë proporcionale dhe efikase edhe për funksionin e arbitrimit të ndeshjeve në të ardhmen, për të arritur nivelin e dëshiruar të ndarjes së drejtësisë në futbollin tonë.
Në të kundërtën, nëse vazhdohet me gabime të këtilla si në ndeshjen Shkëndija-Pelisteri kur arbitri në mënyrë direkte dhe aspak të drejtë ndikoi në rezultatin final dhe nëse Federata nuk angazhohet më seriozisht në përmirësimin e këtij problemi thelbësorë, ndoshta edhe ne si klub do të jemi të detyruar për të rishikuar pozicionin tonë dhe projektin që po e vijojmë në futbollin e Maqedonisë së Veriut. Avansimi i futbollit në një vend varet nga gjithë komponentët përbërës dhe sponsorët e klubet nuk ecin dot përpara pa pjesën e përgjegjësive edhe të përbërësve tjerë të lojës së futbollit dhe organizatorët e garës, si që janë Federata, bashkë me ndarësit e drejtësisë.