Blerim Xhemaili ka vendosur që të mos varë këpucët në gozhdë, por të vazhdojë në futbollin profesionist. Mesfushori tetovar është kthyer përsëri në vendin ku u bë i famshëm, duke firmosur me Cyrihun, me të cilin klub u bë u njohur në arenën ndërkombëtare.
Xhemaili u largua nga Cyrihu në vitin 2007, pasi fitoi dy vite radhazi titullin kampion në Zvicër për të luajtur më pas me skuadra të njohura në Itali si Torino, Parma, Napoli, Xhenoa e Bolonja. Ndërkohë, eksperienca e tij në SHBA me Montreal Impakt dhe në Kinë me Shenzhen nuk shkoi ashtu siç pritej dhe ai nuk arriti të luante asnjë sfidë në kampionatin aziatik duke qëndruar disa muaj kot atje.
Ndërkohë vlen të përmendet gjithashtu, se Xhemaili gjatë karrierës së tij ka veshur edhe fanellën e skuadrës së Bolton, që atë kohë luante në Premierligë, si dhe skuadrës së njohur turke të Galatasarajit. Blerim Xhemaili me përfaqësuesen e Zvicrës, numëron gjithsej 69 ndeshje dhe 11 gola të shënuar.
Ndeshja e tij e fundit zyrtare, është ajo e muajit dhjetor të vitit të kaluar me Bolonjën, derisa vetë ai është stërvitur individualisht me qëllim që të mbajë formën fizike në mënyrë që në janar t’i bashkohet në stërvitje skuadrës së tij të re, me të cilën pritet që të atakojnë pozitat që sigurojnë një vend për në Europë.
Pas 11 xhirove të para, Cyrihu renditet në pozitën e katërt me 17 pikë, 4 më pak se skuadra kryesuese e Jang Bojs.