Futsal Club Arben Bajrami vazhdon të impresionojë me rezultate pozitive në sezonin debutues në mesin e më të mirëve në futsalin vendor, njofton “infOSport.mk”. Pas fitores së madhe në fundjavë ndaj kampionëve të Futsal Shkupit, ekipi i “Arben Bajramit”, sonte demoloi ekipin e Mal Ajaksit, duke e mundur me rezultatin 9:1.
Në qendër të vëmendjes te “portokallinjët” ishte dyshja Ramadani-Ismaili. Berat Ramadani realizoi plotë 4 gola, derisa Taulant Ismaili shënoi dy gola, duke qenë një enigmë e pazgjidhur për ekipin mysafir.
Ndryshe përveç kësaj dyshe në listën e golashënuesve u regjistruan edhe Kadir Jahja, Agim Ramadani dhe Igor Stojkovski.
Ishte kjo fitorja e 8-të për Futsal Club Arben Bajrami në gjithsej 9 ndeshje të zhvilluara të këtij edicioni, me ç’rast kjo skuadër renditet në pozitën e dytë me 24 pikë, vetëm një më pak se lideri aktual, KMF Proekt Ciko, skuadër kjo që sonte barazoi pa gola ndaj Futsal Shkupit në Valandovë.