Struga Trim Lum ka regjistruar edhe fitoren e 6-të nga gjithsej 9 ndeshje të zhvilluara në terren vendas, ku nuk dinë për disfatë. Në menynë e skuadrës strugane ditën e sotme bënte pjesë e Rabotniçki, ndaj së cilës skuadër në fund, Struga Trim Lum shënoi fitore 2:1, njofton “infOSport.mk”.
Shkupjani Florent Osmani kaloi në epërsi Struga Trim Lum vetëm pas 6 minutave lojë, ndërsa Rabotniçki deri tek barazimi arriti në minutën e 22-të me anë të Fahrudin Djurdjeviç, i cili doli të jetë i saktë nga pika e bardhë.
Me rezultatin 1:1 u mbyll edhe pjesa e parë, në të cilën “romantikët” shënuan edhe një gol tjetër, mirëpo i njëjti u anulua për shkak pozitës jashtëloje.
Në fillimin e pjesës së dytë trajneri vendas, Srgjan Zaharievski vendosi që të pushojë mbrojtësin Jasmin Mecinoviq, i cili kishte shkaktuar atë penalti të minutës së 22-të, ndërsa gjithashtu në bankinë u ul edhe i riu Arlind Shabani.
Vendin e tyre e zurën Filip Milenkovski dhe Flamur Tairi, ndërsa pikërisht kjo dyshe servoi edhe golin e tretë, kur Tairi në të majtë pasoi për Milenkovskin, ndërsa ky me një harkim mjaft preciz gjeti në shtyllën e dytë Abdylhadi Jahjën, i cili me kokë shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e “romantikëve”.
E gjithë kjo ndodhi në minutën e 86-të, ndërsa në minutat e mbetura, plus 4 shtesë, Rabotniçki nuk arriti të krijojë ndonjë rast konkret që mund të shpresonte tek barazimi.
Kështu skuadra shkupjane mbeti në kuotën e 21 pikëve, duke u renditur në pozitën e 8-të, ndërkohë Struga Trim Lum me 25 pikë mban pozitën e katërt në renditje.