Dembo Darboe po kalon momentet e tij më të mira të karrierës. 22-vjeçari nga Gambia, i cili po zhvillon sezonin e dytë me fanellën e FC Shkupit, këtë edicion po shkëlqen me fanellën “bardhekaltër”, teksa më së miri flasin edhe statistikat e tij të frikshme, kur janë në pyetje golat.
Ai ka shënuar gjithsej 18 gola në tre kompeticione të ndryshme me FC Shkupin. Gjithçka kishte nisur me golin në ndeshjen e Liga Europa kundër Neftçi, ndërsa përveç 15 golave të shënuar në kampionat, nga gjithsej 15 ndeshje, Darboe, ka regjistruar edhe 2 gola në 3 ndeshjet e Kupës.
“Drogba” i FC Shkupit fundjavën që lamë pas i vetëm mundi Pelisterin, duke shënuar “hat-trik” në fitoren 3:1 në Manastir, ndërsa paraprakisht 2 gola i kishte shënuar edhe Bellasicës. Me gola dëshiron të vazhdojë edhe sot përballë rivalit të përjetshëm, ndaj të cilit nuk kishte arritur të shënojë në ndeshjen e parë të zhvilluar në Arenën “Todor Proeski”.
“Skuadra e Vardarit ka ekip të mirë dhe ne do ti respektojmë ata sikurse të gjitha ekipet e tjera. Duke marrë parasysh se është derbi i qytetit, ne jemi përgatitur aq sa kishim mundësi për këtë ndeshje, por do të japim maksimumin nga vetja që të vazhdojmë me fitore. Jemi në formë të mirë dhe do të kërkojmë të vazhdojmë me këtë ritëm deri në fund, gjithsesi ajo që është më e rëndësishme është fitorja dhe të arkëtojmë dhe tri pikë të reja”, – ka thënë Dembo për faqen zyrtare të klubit nga Çairi.
Ndeshja FC Shkupi-Vardari luhet sot me fillim në orën 13:00, në kompleksin sportiv pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë.