Botërori “Qatar 2022” është premtuar se do të jetë më spektakolari nga FIFA. Për shkak të të nxehtit, ai do të jetë turneu i parë që do të luhet në dimër, mes nëntorit dhe dhjetorit, dhe gjithçka do të përfundojë në harkun e 28 ditëve.
Në stadiume të mbyllura dhe me ajër të kondicionuar, futbollistët do të përshtaten për herë të parë me këtë realitet të ri.
Por, përpara se të shkojmë në Doha, është një rrugë e gjatë dhe e lodhshme kualifikimesh. 5 grupe janë shortuar me nga 5 skuadra secila, derisa 5 grupet tjera me nga 6 skuadra.
Katër skuadrat që u kualifikuan në finalet e Ligës së Kombeve 2021 në tetor, Belgjika, Franca, Italia dhe Spanja, u renditën në grupet me 5 skuadra. Europa do të dërgojë 13 skuadra në Katar, 10 prej të cilave do të jenë fitueset e grupeve të eliminatoreve.
Ndërkohë që 10 skuadrat që do të renditen në vendin e dytë, do të kualifikohen në “play off”-e, së bashku me dy fitueset më të mira të grupeve të Ligës së Kombeve, të cilat nuk janë kualifikuar në dy vendet e para në grupin e tyre eliminator të Botërorit.
12 skuadrat që do të kualifikohen në “play off” do të ndahen në tri rrugë të veçanta “play off”-i, secila prej të cilave do të përbëhet nga gjysmëfinalet dhe finalja, me tre fituesit që do të kualifikohen në finalet e turneut në Katar.
“Qatar 2022” është Botërori i parë që do të ketë 32 skuadra të cilat do të luajnë në 8 stadiume në 5 qytete të ndryshme që do të mirëpresin kompeticionin, i cili do të nisë më 21 nëntor dhe do të përfundojë më 18 dhjetor 2022, duke e bërë kështu turneu i parë në histori që nuk do të mbahet në muajin maj, qershor ose korrik, por në mes dy muajve të fundit të vitit.