Shkëndija dhe FC Shkupi vazhdojnë luftën, i ndjek nga pas edhe Makedonija GJ.P

TOP3 skuadrat e para në elitën e futbollit vendor kanë regjistriar fitore pa probleme në ndeshjet e javës së 15-të, duke u veçuar nga pjesa tjetër e skuadrave, që tashmë ngecin disa pikë, njofton “infOSport.mk”.

Shkëndija të shtunën mundi 2:0 Borecin në Veles, ndërkohë gjatë ditës së sotme fitoreve iu gëzuan edhe FC Shkupi dhe Makedonija GJ.P.

Skuadra e Umit Karan në transfertë mundi Pelisterin 3:1, ndërsa me po të njëjtin rezultat, skuadra nga lagjja e Gjorçe Petrovit të Shkupit në Strumicë mundi Bellasicën.

Fitoret e kësaj treshe bënë që distanca prej dy pikëve të ruhet mes tyre, me Shkëndijën që tashmë numëron 33 pikë në pozitën e parë, FC Shkupin që ka 31 pikë në pozitën e dytë dhe Makedonija GJ.P, që në 15 javë ka tubuar 29 pikë.

Pas tyre me 22 pikë në pozitën e katërt ndodhet Boreci i Gorazd Mihajllov, Sileksi dhe Struga Trim Lum me nga 21 pikë renditen në pozitat 5 dhe 6, derisa jashtë zonës së rrezikut ndodhen edhe Vardari dhe Rabotniçki, që sot barazuan pa gola në arenën “Todor Proeski”.

Renova me 15 pikë renditet në pozitën e 9-të, Pelisteri me 12 pikë mban pozitën e 10-të, ndërkohë dy pozitat e fundit janë të rezervuara për dy skuadrat nga Strumica, Akademia Pandev dhe Bellasica.

Leave a Reply