Totenhami ka fituar derbin e Londrës Veriore përballë Arsenalit me shifrat 2:0, duke u ngjitur i vetëm në krye të klasfikimit në Premierligë me 24 pikë të tubuara. Në këtë mënyrë skuadra e Murinjos vijon momentin pozitiv në Premierligës, teksa regjistroi fitoren e 5-të në 6 ndeshjet e fundit ndërsa e çoi në 10 numrin e ndeshjeve pa humbje.
Dy gola në pjesën e parë nga koreno-jugori, Son, i cili realizoi një supergol dhe Kejn i mjaftuan Totenhamit për të marrë tre pikët e radhës dhe për të zhytur në një krizë rezultatesh, Arsenalin e Granit Xhakës.
Në fund festa ishte e gjitha për rreth 2 mijë tifozët e “Spërsave” që ishin në stadium. Tek fitorja u rikthye edhe Leçesteri që falë një goli të kapitenit Xhejmi Vardi në minutën e 90-të, triumfoi 1:2 në transfertën ndaj Shefilld Junajted të vendit të fundit, ndërkohë fitore me goleadë me shifrat 1:5 për Kristal Pallasin në udhëtim te Uest Bromuiç Albion.