Dy skuadrat gjigande europiane, Mançester Junajtedi dhe Paris Sen Zhermeni ditë më parë u përballën mes tyre në Ligën e Kampionëve. Ishin francezët që triumfuan në fund me shifrat 3:1, duke iu hakmarrë në këtë mënyrë skuadrës angleze për disfatën në ndeshjen e parë në në Paris.
Kualifikimi për në raundin tjetër në këtë kompeticion vendoset në takimet e fundit të grupit.
Ajo që është e përbashkët për të dyja klubet ka të bëjë me dyshimet për vazhdimësinë me trajnerët aktualë.
Te PSZh-ja, Tomas Tushel mund të shkarkohet edhe para mbylljes së sezonit, nëse gjerat nuk shkojnë si duhet. Në verë gjasat janë që ai të dalë i lirë, ndërkohë që emri i tij ka dalë si opsion pikërisht për bankinën e Mançester Junajtedit.
Kjo bëhet e ditur edhe nga gazetari i Bild, Kristian Falk, i cili në “Twitter” shkruan se anglezët e duan gjermanin dhe vetë Tushel është “pro” kalimit në krye të “Djajve të Kuq”, që aktualisht kanë në bankinë norvegjezin, Ole Gunar Solskjaer.