Stadiumi i Napolit “San Paolo” edhe zyrtarisht është riemëruar “Diego Armando Maradona Stadium”. Një vendim të tillë ka marrë këshilli i qytetit të Napolit të premten, raporton “Reuters”.
Maradona, që vdiq ditë më parë, kishte udhëhequr Napolin drejt dy titujve të Serie A dhe deri tek trofeu i Kupës së UEFA-s.
Ai vdiq nga një sulm në zemër në shtëpinë e tij në Buenos Aires, në më pak se një muaj pas ditëlindjes së tij të 60-të.
Këshilli i qytetit aprovoi rezolutën e kryetarit të Napolit, Luigi de Magistris, që stadiumi “San Paolo” të marrë emrin e Maradonës, i cili për shtatë vite te klubi italian kishte shënuar 115 gola.
“Kam qenë në bisedime me autoritetet lokale që 17 vite. Gjithmonë kam kërkuar që ta blija stadiumin dhe ta riemëroja ‘Diego Armando Maradona’”, – është shprehur presidenti i klubit të Napolit, Aurelio de Laurentiis, për Sky Sport Italia.
Maradona ishte transferuar te Napoli në vitin 1984 për ta ndihmuar ekipin që të lë prapa gjigantët si Juventus, Milan e Inter.