Renova ka arritur marrëveshje me ish portierin e Shkëndijës, Hadis Veli, i cili së fundmi ishte pjesë e skuadrës së Gostivarit, njofton “infOSport.mk”.
Hadis Veli te Gostivari kaloi një vit, duke ndihmuar këtë skuadër që të ngjitet në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë, ndërsa tashmë ai vetë do të sfidojë veten sërish në elitën e futbollit vendor, aty ku më parë luante me Shkëndijën.
“Po fillimisht falemenderoj kryesinë e klubit dhe gjithsesi trajnerin e Renovës, Vllatko Kostov që patën besim te unë. Normal që jam i kënaqur që sërish kthehem në Tetovë, por kësaj rradhe te KF Renova. Premtoj që unë nga vetja ime do të jap më të mirën për klubin që të arrijmë synimin kryesor, daljen në Europë” – tha Hadis Veli në një intervistë për “infOSport.mk”.
Hadis Veli me Renovën ka firmosur kontratë një vjeçare, njëjtë sikurse edhe sulmuesi Lavdrim Skenderi, i cili ditë më parë u rikthye te skuadra nga Xhepçishti, pas aventurës që pati në Superligën e Kosovës me skuadrën e Ferizajit.
Hadis Veli në këtë mënyrë rikthehet në vendlindjen e tij, në Tetovë, por kësaj rradhe te Renova, duke pasur parasysh se që nga mosha 17 deri 25 vjeçare, ishte pjesë e Shkëndijës, nga e cila skuadër në vitin 2015-të ishte transferuar te Vëllazërimi i Kërçovës.