Futsal Shkupi regjistroi një fitore më se të merituar në ndeshjen e raundit parakualifikues të Ligës së Kampionëve, duke mundur kampionët e Irlandës, Blu Mexhik FC Dublin me rezultatin 3:0, njofton “infOSport.mk”.
Të besuarit e trajnerit Lekiq që nga fillimi diktuan tempo, ndërsa fitoren e paralajmëroi Erkan Seferi me golin e realizuar në minutën e 6-të, kur doli të jetë i saktë nga pika e bardhë.
Me rezultatin minimal 1:0 u mbyll pjesa e parë, ndërsa në pjesën e dytë Futsal Shkupi realizoi edhe dy gola të tjerë, duke mos i dhënë shumë shpresa kundërshtarit se mund të bëjnë diç më tepër në ndeshjen e zhvilluar në Shkup.
Një goditje e Nikolla Dimovskit e devijuar nga mbrojtësi Lemes Soares në minutën e 30-të përfundoi në rrjetën e portierit mysafir, ndërsa rezultatin përfundimtarë, Futsal Shkupi 3, Blu Mexhik FC Dublin 0, e vendosi Eljesa Neziri në çastet e fundit të takimit.
Tashmë Futsal Shkupin e pret raundi kryesor i garave në Ligën e Kampionëve, ndërsa kundërshtarin e mundshëm “bardhekaltërit” nga Çairi do ta mësojnë me 9 dhjetor, kur edhe do të hidhet shorti në Nion të Zvicrës.