Reali ja bënë zi Interit, Bajerni fiton, por ju shënon një shqiptarë, Atalanta mund Liverpullin në Angli (VIDEO)

Real Madridi ka mundur Interin edhe në ndeshjen e dytë të këtij edicioni në Ligën e Kampionëve, këtë herë në “Xhuzepe Meaca” me shifrat 0:2. Pas kësaj disfate “zikaltrit” janë me një këmbë jashtë Ligës së Kampionëve, pasi Borusia M’Gladbahu në ndeshjen tjetër të grupit B mundi me rezultatin e thellë 4:0 Shakhtarin e Donetskut.

Hazard shënoi që në fillim me penallti, ndërkohë që nuk munguan kontestimet. Vidal u ndëshkua me karton të kuq për protesta që në pjesën e parë, derisa Rodrygo për Realin shënoi edhe golin e dytë, duke vulosur fitoren.

Kampionët në fuqi të Bajernit të Munihut kanë siguruar kualifikimin në raundin tjetër, pasi në shtëpi mposhtën RB Salzburgun me shifrat 3:1.

Në listën e shënuesve nuk mungon sërish Robert Levandovski, ndërkohë që shënuan edhe Leroj Sane dhe Kingsli Koman. Në anën tjetër golin e vetëm për austriakët në këtë takim e realizoi një shqiptarë, Mërgim Berisha.

Në Spanjë Atletiko Madrid ka bërë një hap fals, duke barazuar pa gola me rusët e Lokomotiv Moskës, duke bërë që kualifikimin nga grupi A ta kërkojë në dy xhirot e fundit.

Fitore e rëndësishme edhe për Porton, që likuidoi 0:2 Olimpikun e Marsejës në Francë. Sanusi gjatë pjesës së parë dhe Serxhio Oliveira gjatë pjesës së dytë shënuan për portugezët që janë shumë afër për t’iu bashkuar Mançester Sitit për në ndeshjet e 1/8 së finales nga grupi C.

Skuadra e Pep Guardiolas në ndeshjen tjetër të këtij grupi kishte mundur minimalisht Olimpijakosin në Athinë, falë golit të shënuar nga Foden (36’).

Italianët e Atalantas dhe holandezët e Ajaksit kanë fituar sonte në kuadër të grupit D dhe numërojnë nga 7 pikë, duke e shtyrë çështjen e kualifikimit në vazhdim.

Edhe për Liverpullin, që u mund nga Atalanta e Berat Xhimshitit me rezultatin 0:2, me golat e Iliçiç dhe Gosens, festa është shtyrë pas fitoreve në tre ndeshjet e para. Ajaksi ndërkohë bëri dëtyrën kundër Midtjylland, duke triumfuar me rezultatin 3:1. Të saktë për ekipin holandez u treguan Gravenberh (47’), Mazraui (49’) dhe Neres (66’), derisa golin e nderit për danezët e realizoi Mabil 10 minuta para fundit të takimit nga pika e bardhë.

 

Leave a Reply