Struga Trim Lum ka ruajtur nderin e skuadrave shqiptare në kuadër të ndeshjeve të Kupës, duke u kualifikuar për në gjysmëfinale, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra strugane në përballjen shqiptare mundi Renovën me rezultatin minimal 1:0, duke përsëritur suksesin e vitit të kaluar, mirëpo që këtë herë drejtuesit e kësaj skuadre janë të vendosur për të shkuar deri në fund.
“Vërtetë jemi të lumtur që si skuadër po i japim ngjyrë edicionit të sivjetshëm në futbollin vendor, si në Kupë, ashtu edhe në kampionat. Edhe përkundër disa padrejtësive të bëra nga ana e arbitrëve, neve jemi këtu ku jemi. Jemi në pozitën e katërt në kampionat, ndërsa sot morrëm vizën për të luajtur edhe në gjysmëfinale, aty ku ishim edhe vitin e kaluar, mirëpo për shkak pandemisë siç e dimë të gjithë, ndeshjet e kupës u ngrinë dhe nuk patëm mundësinë të japim më shumë. Mirëpo mendoj se këtë vit jemi edhe më të pjekur dhe më mirë të koordinuar dhe të gatshëm për suksesin historik, kualifikimin në finalen e madhe” – u shpreh enkas për “infOSport.mk” numri një i Struga Trim Lum, Arbtrim Qyra.
Struga Trim Lum brenda pak ditësh dy herë mundi Renovën, edhe atë me rezultatin identik 1:0. Të dielën ishte Klisman Cake që i siguroi fitoren Struga Trim Lum në kampionat, ndërkohë sot ishte Nijas Lena dhe saktësia e tij nga penaltia që i dhuroi fitoren dhe kualifkimin në gjysmëfinale.