Gjatë ditës së sotme Bujar Islami dhe Renova ndërprenë bashkëpunimin e tyre edhe zyrtarisht, me çka në vazhdim të kampionatit skuadra nga Xhepçishti do të duhet të gjejë një trajner të ri, shkruan “infOSport.mk”.
Megjithatë duke pasur parasysh se nuk kanë shumë hapësira për të arritur në një kohë kaq të shpejtë deri te ndonjë emër të ri, drejtuesit e klubit nga Xhepçishti kanë vendosur që nesër kundër Struga Trim Lum, skuadrën ta udhëheqi Fisnik Nuhiu, i cili aktualisht luan rolin e drejtorit sportiv.
Pikërisht ky i fundit në një prononcim për “infOSport.mk”, pranoi se pikërisht ai do të udhëheq ekipin në ndeshjen e nesërme, ndërsa gjithashtu foli edhe për emërimin e trajnerit të ri.
“Ne si kryesi po punojmë në atë drejtim, por nuk mund të themi saktë se kur do emërohet trajneri i ri, sepse orari është shumë i ngjeshur dhe s’kemi shumë kohë. Ka vetëm edhe 20 ditë deri në përfundim të stinorit, nuk kemi vendos akoma. Unë do të jem vetëm përkohësisht, sepse nuk jam trajner, por vetëm në këtë situatë s’kemi zgjidhje tjetër, janë ndeshjet shumë afër njëra tjetrës” – deklaroi Fisnik Nuhiu.
Ndeshja çerekfinale e Kupës midis Struga Trim Lum dhe Renovës do të zhvillohet nesër me fillim në ora 13:00 në stadiumin pranë liqenit të Strugës, aty ku këto dy skuadra u takuan edhe të dielën në kampionat.
Kujtojmë në atë ndeshje Struga Trim Lum falë golit të shënuar nga Klisman Cake, shënoi fitore minimale 1:0.