Bujar Islami edhe zyrtarisht më nuk është trajner i Renovës. Një gjë të tillë ka bërë të ditur vetë klubi nga Xhepçishti përmes faqes zyrtare në “facebook”, por njëkohësisht të njëjtin lajm për “infOSport.mk”, e konfirmoi vetë Islami.
“Prej sot nuk jam më pjesë e Renovës. Falënderojë kryesinë e klubit, futbollistët dhe gjithë ata me të cilët bashkëpunova gjatë këtyre 17 muajve te skuadra ime. Duke parë që mungonin rezultatet unë vendosa të ofrojë dorëheqjen, ndërsa pas takimit që patëm mbrëmë me drejtuesit e klubit e njëjta u pranua dhe tashmë unë jam një trajner i lirë. Renovës i uroj shumë suksese në të ardhmen” – u shpreh enkas për “infOSport.mk”, Bujar Islami, nën drejtimin e të cilit Renova arriti suksesin historik në kuadër të garave ndërkombëtare, duke kaluar raundin e parë në ndeshjet e Liga Europa.
Me Islamin në krye Renova gjithashtu u kualifikua edhe në çerekfinale të Kupës së Maqedonisë, aty ku nesër e pret përballja me Struga Trim Lum, mirëpo rezultatet munguan në kampionat, aty ku gjithçka filloi mirë në 3 xhirot e para, mirëpo më pastaj erdhi një seri prej 9 ndeshjeve pa fitore, gjë që solli edhe deri te ndërprerja e bashkëpunimiti.
41-vjeçari Islami Renovën e udhëhoqi në gjithsej 36 ndeshje, duke regjistruar 11 fitore, 9 barazime dhe 16 disfata.