Mbledhje e jashtëzakonshme më 4 dhjetor për vlerësimin e punës së trajnerit Joakim Lëv.
Kështu ka njoftuar Federata Gjermane e Futbollit duke e mbajtur me zemër të ngrirë trajnerin e “pancerave” deri në atë datë.
Ky vlerësim do të bëhet pas humbjes katastrofale 6:0 të ish kampionëve të Botës ndaj Spanjës, por edhe pas rezultateve negative në Ligën e Kombeve ku Gjermania e Lëvit arriti të fitonte vetëm 2 nga 6 ndeshje.
Lëv tashmë nuk është i sigurtë aspak në bankinën e kombëtares gjermane, ndërsa gjithçka pritet të qartësohet pas mbledhjes së 4 dhjetorit.
Kujtojmë Lëv drejtimin e kombëtares së Gjermanisë e morri me 12 korrik të vitit 2006, duke udhëhequr “pancerat” në plotë 188 ndeshje, nga të cilat në 120 ka dalë si fitues, në 31 si humbës, teksa në 37 ndeshje ka barazuar. Me Joakim Lëv në krye, Gjermania në vitin 2014 doli kampion Bote, duke mundur Argjentinën në finalen e madhe me golin e Mario Gotze.