Ish-kampioni i peshave të rënda në boks, Majk Tajson në fund të këtij muaji do ti rikthehet ringut, edhe atë për herë të parë pas plotë 15 vitesh.
Tajson do të takohet me Roj Xhons në një ndeshje jozyrtare me 8 raunde më 28 nëntor në “Dignity Health Sports Park” në Los Anxheles.
54-vjeçari e përfundoi karrierën e tij me 50 fitore dhe gjashtë humbje. Nga 50 fitoret e tij, Tajson 44 prej tyre i kishte fituar me nokaut.
Me fitoren e tij ndaj Trevor Berbik në vitin 1986, Tajson si 20-vjeçar u bë kampioni më i ri botëror në pesha të rënda në histori.
Tajson u pezullua për një kohë të pacaktuar nga boksi pasi i kafshoi veshin Evander Holifilld në një ndeshje në qershor të vitit 1997. Tajson rifitoi licencën e tij pas një viti pas një vendimi të gjykatës.
Rekordi i 51-vjeçarit Xhons aktualisht qëndron në 66 fitore dhe 9 humbje, ndërsa lufta e tij e fundit ishte dy vjet më parë kur në “Civic Center”, Pensacola, kishte mundur amerikanin Skot Sigmon.