Shqipëria edhe edicionin e dytë në kuadër të Ligës së Kombeve e ka mbyllur në mënyyrë shumë të suksesshme, njofton “infOSport.mk”. Kombëtarja shqiptare njëjtë sikurse edhe vitin e kaluar, kur mbylli në pozitën e parë garat në kuadër të Ligës “D”, një gjë të tillë bëri edhe këtë edicion, këtë herë në kuadër të Ligës “C”, me ç’rast “kuqezinjtë” në edicionin e tretë të garave në kuadër të Ligës së Kombeve, do të luajnë në Ligën “B”, aty ku me siguri se do të hasin në kundërshtarë shumë më të fuqishëm.
Të besuarit e trajnerit Edi Reja sonte në “Air Albania Stadium” në ndeshjen vendimtare për pozitën e parë në grupin 4 të Ligës “C”, mundën Bjellorusinë, duke ua rrëmbyer këtyre të fundit pozitën e parë.
Shqipëria shënoi fitore 3:2, ndërsa pjesa e parë doli të jetë vendimtare për ekipin “kuqezi”, pasi pikërisht në këtë pjesë bëri diferencën e duhur, falë dyshes sulmuese Sokol Cikalleshi – Rej Manaj.
Sulmuesi i Konyaspor, Cikalleshi shënoi dy golat e parë për Shqipërinë, edhe atë fillimisht në minutën e 20-të, kur mjaft mirë shfrytëzoi harkimin e Memollës nga e majta, ndërsa golin e dytë personal, kur edhe e ngriti epërsinë e “kuqezinjëve” në 2:0, e realizoi në minutën e 27-të, kur doli të jetë i saktë nga pika e bardhë.
Shpresat bjelloruse i riktheu Maksim Skavysh në minutën e 35-të, duke mposhtur për herë të parë Etrit Berishën në këtë ndeshje, mirëpo që Shqipëria në pushim të shkoj me dy gola epërsi, u përkujdes Rej Manaj, i cili një minutë para fundit të 45 minutëshit të parë u tregua shumë këmbëngulës në zonën kundërshtare dhe nga tentativa e dytë arriti që të mposhtë portierin mysafir.
Pjesa e dytë doli të jetë më e zbehtë kur janë në pyetje golat, pasi në të njëjtën u realizua vetëm një, edhe atë nga mysafirët në minutën e 80-të, kur edhe rikthyen shpresat se mund të arrijnë barazimin e shumëdëshiruar.
Ishte mesfushori i Astanas, Maks Ebong që në një moment bëri që Bjellorusia të besoj tek ëndërra, e cila nuk u realizua, pasi e njëjta u buzëqeshi futbollistëve shqiptarë, të cilët përmes shumë oscilacioneve këtë edicion në Ligën e Kombeve, në fund realizuan objektivin, duke u renditur në pozitën e parë në grupin 4 të Ligës “C”, në konkurrencë edhe me kombëtaret si Bjellorusia, Lituania dhe Kazakistani, transmeton “infOSport.mk”.
Shqipëria me 11 pikë e mbylli këtë cikël në vendin e parë, duke lënë pas vetes Bjellorusinë me 10 pikë, ndërkohë Lituania falë fitores në ndeshjen tjetër të grupit ndaj Kazakistanit, u rendit në pozitën e tretë me 8 pikë, duke i lënë fenerin Kazakistanit, që në 6 xhiro tuboi vetëm 4 pikë.