Shqipëria e ka mbyllur me avantazhin 3:1 pjesën e parë të takimit shumë të vlefshmë të Ligës së Kombeve në grupin 4 të Ligës “C” kundër Bjellorusisë, duke qenë vetëm 45 minuta larg ëndërrës së madhe, vendit të parë në grup, që përveç kësaj u mundëson “kuqezinjëve” që vitin tjetër të provojnë veten në Ligën “B”, me kombëtare shumë më të fuqishme, por gjithashtu do të pozicionoheshin në një vazo më lartë për shortin e eliminatoreve të Botërorit “Qatar 2022”.
Përveç kësaj në arkat e FSHF-së do të derdheshin 1 milion e 125 mijë eurove që UEFA ua jep skuadrave që fitojnë grupet në Ligën C, para që mund t’i shërbejnë Federatës për të ardhmen e ekipit kombëtar.
Ndryshe sa i përket lojës kundër Bjellorusisë, 45 minutëshi i parë kaloi në shenjë të Sokol Cikalleshit, i cili shënoi që të dy golat për “kuqezinjtë”.
Fillimisht në minutën e 20-të shfrytëzoi mjaft mirë harkimin e Memollas nga e majta dhe me kokë tundi rrjetën e Khatkeviç, i cili para sulmuesit shtatëlartë të Konyaspor kapituloi edhe në minutën e 27-të, këtë herë pas goditjes precize nga pika e bardhë.
Shpresat e bjellorusëve i riktheu Skavysh me golin e shënuar në minutën e 35-të, mirëpo që Shqipëria në pushim të shkoj me një epërsi prej dy golash, u përkujdes partneri i Cikalleshit në sulm, Rej Manaj, i cili një minutë para fundit të pjesës së parë shënoi edhe golin e tretë në rrjetën e Bjellorusisë, transmeton “infOSport.mk”.
Rezultat i shkëlqyeshëm ky për djemtë e Edi Rejës, që në këtë mënyrë po realizojnë ëndërrën, për të qenë të parët në grupin 4 të Ligës C, në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve.