Përfaqësuesja e Kosovës të dielën kundër Sllovenisë zhvilloi ndeshjen e parafundit në kuadër të grupit C3 në kuadër të Ligës së Kombeve, njofton “infOSport.mk”. Skuadra “Dardane” ishte shumë e pafat në këtë përballje, pasi edhe përkundër avantazhit që kishte, në fund pësoi disfatë 2:1, pas një goli të pranuar në minutën e 93-të nga pika e bardhë.
Ekspedita e Kosovës në orët e mëngjesit të së hënës arritën në Prishtinë, teksa në orët e mbrëmjes futbollistët që nuk luajtën dhe ata që ishin më pak të angazhuar në ndeshjen e zhvilluar në Lubjanë mbajtën stërvitje në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ndërkohë, pjesa tjetër e lojtarëve zhvilluan seancë rigjeneruese në hotel në prag të ndeshjes shumë të rëndësishme kundër Moldavisë.
Në këtë ndeshje që në program është me datë 18 nëntor në Prishtinë, Kosova do të kërkojë fitoren e parë në grup, e për më tepër mbijetesën në Ligën “C”.
Mirëpo në prag të këtij takimi, zëvendësi i Bernard Çallandes (i prekur me virusin korona), Muharem Sahiti, ka marrë një lajm të mirë dhe një të keq.
Lajm i mirë ëshët rikthimi i Bersant Celinës, i cili mungoi në ndeshjen kundër sllovenëve për shkak të shqetësimeve me muskujt e këmbës dhe pritet që të jetë i gatshëm për lojë kundër Moldavisë, ndaj së cilës kombëtare edhe përfundimisht nga kombinimi bie, Bernard Berisha.
Ky i fundit është i pezulluar për shkak të kartonëve dhe tashmë ka udhëtuar drejt Rusisë për t’u bashkuar me klubin e tij, Akhmat Grozni.
Tani e gjithë vëmendja është tek dueli me moldavët, ku synohet që me rezultat pozitiv të sigurohet mbetja në Ligën C të Ligës së Kombeve.