Portieri i kombëtares së Shqipërisë, Etrit Berisha, pavarësisht një goli të pranuar nga gjysmëfusha përballë Kazakistanit, ishte njëri nga më meritorët për fitoren 3:1 të “kuqezinjëve” kundër Kazakistanit, duke bërë disa pritje fantastike.
Lidhur me golin e pranuar në minutën e 24-të nga gjysma e fushës kur mysafirët e nisën shpejtë ndeshjen pas golit të Ismajlit duke zënë Berishën jashtë pozicionit të duhur, gardiani “kuqezi” sqaroi se çfarë realisht ndodhi në atë situatë.
“Nuk kam pësuar asnjëherë një gol të tillë. Ishte një moment kur veç se shënuam dhe mund ta menaxhonim më mirë lojën, por pas atij goli e lëshuam iniciativën. Gjëra që ndodhim, do ishte e vështirë për çdo portier ajo”, – tha fillimisht Berisha për SuperSport.
“Të them të drejtën goditja ishte shumë e mirë, topi mori një trajektore dhe duke shkuar prapa – të kthehesha prap ishte e pamundur. Goditja ishte shumë e fortë dhe gjithçka shkoi shumë shpejtë”, – është shprehur Berisha.