Shqipëria sonte bëri detyrën në ndeshjen kundër Kazakistanit, duke kaluar kështu me shumë sukses pengesën e parë nga dy të fundit që “kuqezinjtë” të shpresojnë në pozitën e parë në grupin C4 të Ligës së Kombeve, njofton “infOSport.mk”.
Ekipin e Edi Rejës të mërkurën (18 nëntor) e pret përallja tjetër vendimtare kundër Bjellorusisë, skuadër kjo që në ndeshjen tjetër të grupit kishte mundur Lituaninë, duke mos lëshuar pozitën e parë me 10 pikë.
Dy pikë është diferenca për momentin, ashtu që një fitore e kombëtares shqiptare në ndeshjen direkte, do i mundësonte Shqipërisë në fund të ndalej e para në grup dhe të siguronte një vend për në ndeshjet e “play-off”.
Mirëpo për këtë ndeshje shumë të rëndësishme, trajneri Reja nuk do të mund të ketë në disponim luftëtarin e madh, Amir Abrashi, i cili sonte kundër Kazakistanit u ndëshkua me të verdhë, transmeton “infOSport.mk”.
Ishte ky kartoni i dytë për mesfushorin e Frajburgut, i cili automatikisht nuk do të ketë të drejtë loje kundër bjellorusëve, ndaj të cilëve Shqipëria vetëm me fitore mund të shpresojë për pozitën e parë në grupin C4.