Nevil Dede është emëruar trajner i ri i Tiranës. Lajmi konfirmohet nga klubi “bardheblu” nëpërmjet një komunikate në faqen zyrtare. Ashtu siç u raportua gjerësisht në dy ditët e fundit, ish-futbollisti i 25-herë kampionëve të Shqipërisë rikthehet për herë të tretë në stolin e ekipit nga kryeqendra shqiptare.
Dede në postin e trajnerit te Tirana do të pasojë Emanuel Egbonë, i cili u shkarkua pas eliminimit befasues nga Korabi në raundin e dytë të Kupës së Shqipërisë.
Nevil Dede ka qenë edhe më parë në krye të Tiranës në rolin e trajnerit dhe është njohës i mirë i kampit “bardheblu”. Ai ka drejtuar Tiranën në dy periudha të ndryshme. Për herë të parë pranoi ofertën në tetor të vitit 2010, ndërkohë që qëndroi për katër muaj në krye të “bardhebluve” nga kryeqendra shqiptare.
Në shkurt të vitit 2013-të, 45-vjeçari u rikthye te Tirana, duke qëndruar deri në tetor të atij viti në drejtimin e Tiranës.
Veç punës me kombëtaret e moshave, Dede ka drejtuar edhe skuadra si Laçi, Kastrioti dhe Luftëtari. Si lojtar, sikurse edhe dihet, ai ka qenë kapiten i Tiranës dhe ka dalë kampion plotë 8 herë. Gjithashtu ai ka triumfuar pesë herë në Kupën e Shqipërisë dhe 6 herë në Superkupë, duke e shkruar emrin e tij në historinë e klubit bardheblu, të cilin tashmë do e udhëheq si kampion në fuqi i Shqipërisë.